HomeKulturëSukses i jashtëzakonshëm i Ansamblit në Bujanoc dhe një natë e papërsëritshme...

Sukses i jashtëzakonshëm i Ansamblit në Bujanoc dhe një natë e papërsëritshme artistike

Derisa sheshi i qytetit ishte përplot spektatorë artistët e Ansamblit Nacional tė këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV kanë shkëlqyer mbrëmë në koncertin e dhënë në mes të sheshit ku mijëra qytetarë të Bujanocit, Luginës ndiqnin nga afër këtë spektakël të shoqëruar me duartrokitje e shumë emocione!

E bukura e këtij koncerti ishte pjesëmarrja e publikut të grupmoshave të ndryshme: fëmijë që e duan këngën e vallen shqipe, të rinjë që përcillnin çdo gjë me eufori, intelektualë të shumtë që i dëgjoje duke komentuar me krenari arritjet e ansamblit dhe mosha më e vjetër që nga emocionet nuk fshihnin lotët!

Programin e filloi si nikoqir shoqeria „Zeri i Luginës“ tė rinjë e të reja plot entuziazëm! Pas paralajmërimit të programit nga prezantuesi i cili tashmë është pjesë e gjithë Turit Ballkanik Valon Sallai filloi programi me vallen e Shotës luajtur me elegancë e bukuri nga solistët Bali Saliu e Peme Hoxha. Më pas solistët interpretuan „ Bien lodrat“ për të vazhduar më tej me solistët Kastriot Latifi dhe këngën „Dasma e Malësorit“, Era Azemi „Dallëndyshe“ dhe Besarta Murtezani „Këtu kam folenë“.

 Ka vazhduar programi me vallen „Baresha“ ku xhubleta dhe kënga e pastër shqipe ka jehuar më fuqishëm se kurrë për të vazhduar me polifoni dhe „Bijë çobanësh“ , me këngën nostalgjike të viteve 70 – ta „Rini thuaja këngës dhe për tu përmbyllur ky bllok me kolazh nga trevat e Maqedonisë së Veriut!

Programi kishte një ngritje graduale dhe padyshim këngêt epike kishin vendin kryesor! „Vallja e Dibrës“ e sjellur në mënyrë brilante nga solisti Samir Thaqi e vallëtarët parapriu auforinë e bllokut të këngëve „Zakon burri“ , „Retë e zeza“ qė e sollën shumë fuqishëm Shkodran Tolaj e Jetmir Rexhepi , „Zëri i atdheut“ një këngë me mesazhe aq të mëdha intepretuar nga Agron Kalisi, „ Prite Azem Galicën“ interpretuar nga solisti Nexhat Suma dhe „Jusuf Xhelili“ interpretuar nga Salajdin Miftari, dy këngëtarë vetaranë që u mirëpritën nga publiku i Bujanocit që kanë ndjekur vitet e shkëlqimit të tyre në skenë!

Kulminacioni i natës së mbrëmshme u arrit me Vallen e paqes dhe poemin „Kosovari“ një gërshetim artistik I përkryer ku fuqia e fjalës, këngës e vallëzimit janë duartrokitur pafundësisht me respektin maksimal ndaj tenorit Shkodran Tolaj dhe gjithë vallëtarëve!

Spektatorët e mahnitur nga kjo madhështi e nivel artistik uronin që kjo mbrëmje në sheshin e stërmbushur të zgjasë sa më shumë! Në këtë atmosferë drejtori Tolaj ndau mirënjohje e Plisa për tre organizatorët Nevzat Lutfiu – kryetar i Këshillit Kombëtar, Jetmir Ismaili – drejtor i shtëpisë së Kulturës dhe Shuajp Neziri nga organizata turistike Bujanoc! Z.Lutfiu pas falemnderimit të drejtorit Tolaj për gjithë angazhimin dhe mbrëmjen e rrallë që për herë të parë në shesh të hapur kishte sjellur kaq emocione i dhuroi atij një punim origjinal të Skenderbeut, udhërrëfyesit tonë ndër shekuj!

Mbrëmja u mbyll me këngën e njohur „Mora fjalë“ e cila u intepretua bashkë me publikun që në shenjë respekti ishin të ngritur në këmbë duke kujtuar kështu të kaluarën tonë plot dhembje por të mbushur me krenari e lavdi!/Perspektiva/

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments