HomeKulturëNdalimi i filmave në Bujanoc

Ndalimi i filmave në Bujanoc

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka reaguar pasi që institucionet e Serbisë e arrestuan drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, pasi që kishte pranuar që të shfaqen dy filma që ishin të financuar nga Qeveria e Kosovës.

Çeku përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë është “i paprecedent dhe i papranueshëm rasti i mbrëmshëm në Komunën e Bujanocit, ku u ndalua shfaqja e dy filmave në Shtëpinë e Kulturës”.

“Një ditë para shfaqjes së filmave, policia e Serbisë i merr në bisedë informative drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, producentin dhe aktorët e filmave”.

“Pa asnjë motiv konkret, e madje duke e paragjykuar përmbajtjen e filmave, autoritetet serbe ndalojnë shfaqjen e filmave deri në një vendim të radhës”, ka shkruar Çeku në “Facebook”.

Ndërkaq, ai potencoi se “ky akt më e pakta që mund të emërohet, është mosdurim nacional”, dhe se siç thotë ai “për fat të keq ka ende qarqe politike brenda, në rajon e jashtë që besojnë në ndryshimin e Serbisë”.

“Pikërisht politizimi nga ana e Serbisë edhe i artit, me të vetmin motiv që filmi është me aktorë shqiptarë dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është përgënjeshtrimi më i madh që Serbia ka ndryshuar, apo se mund të ndryshojë”, shtoi ai.

Shfaqja e këtyre filmave ishte njëri nga 78 projektet që Qeveria e Kosovës i mbështeti financiarisht përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës.

“Projekte këto që bartnin aktivitete në ruajtjen dhe kultivimin, avancimin e artit, gjuhës, arsimit e identitetit kombëtar shqiptar në Luginën e Preshevës”, potencoi ministri.

Ndryshe, Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka bërë të ditur se drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Komunën e Bujanocit është liruar, pasi i njëjti një ditë më parë ishte arrestuar pasi kishte lejuar shfaqjen e dy filmave të financuara nga Qeveria e Kosovës.

Ai madje ka bërë të ditur se premierat e dy filmave “Heshtja vret” dhe “I pabesi” nuk do të mbahen deri në një kohë të pacaktuar.

“I paqartë është motivi i angazhimit kaq të madh i policisë në Bujanoc për të marr në bisedë informative dhe për të ndaluar premierën e dy filmave të aktorëve shqiptarë një ditë para se ata të shfaqen. Edhe më e paqartë është frika që ata kanë nga përmbajtja e filmave që as nuk i kanë parë. Parandaluan premierën për pretendimin rreth përmbajtjes në vend që të lejonin që përmbajtjen ta mësojnë nga premiera”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Kamberi ka bërë të ditur se në cilësinë e deputetit do t’i drejtohen institucioneve përgjegjëse për të kërkuar sqarime rreth këtij veprimi, duke njoftuar gjithashtu institucionet relevante ndërkombëtare për veprimet që po ushtrohen ndaj shqiptarëve të Luginës./Albanian post/Perspektiva/

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments